Portugalia: Mposhtim SHBA, ose në shtëpi

22/06/2014 00:00

Trajneri i Portugalisë, Paulo Bento, është shprehur gjatë së shtunës se ekipi i tij mund të nisë bërjen gati të “bagazheve”, nëse nuk do të mund të mposhtin Shtetet e Bashkuara, në ndeshjen e së dielës në Manaus.

Portugalia humbi 4-0 nga Gjermania në ndeshjen e parë të grupit G dhe çdo rezultat tjetër veç fitores, të dielën, do të linte çështjen e kualifikimit jo në duart e tyre.

Përveç kësaj, përgatitjet e portugezëve për përballjen decizive ndaj SHBA-ve, janë prekur edhe nga probleme të tjera, përfshi këtu dëmtime dhe pezullime, gjë që e ka lënë Bento-n pa 4 lojtarë kyç. E megjithatë, Bento nuk kërkon justifikime, por vëmendje maksimale dhe arritjen e objektivit.

“Le të mos flasim për mungesat dhe të mendojmë për të luajtur”, tha ai. “Situata është e thjesht. Ose fitojmë, ose nisim të përgatisim valixhet për t’u rikthyer në shtëpi. Edhe në rast barazimi vlen i njëjti diskutim. Ky është një skenar që nuk bën pjesë në mendimet tona”.

“Na nevojitet të reagojmë dhe mendoj se kemi mjaftueshëm kualitete për ta bërë. Besoj verbërisht, ashtu sikurse lojtarët janë të bindur në vetvete. E gjithë merita është e tyre, mua më takon vetëm një pjesë e vogël. Tashmë atyre u duhet të luftojnë për të përmirësuar besimin ndaj tyre. Kemi nevojë për një ekip që ka besim te vetvetja dhe të jetë i aftë të kontrollojë aspekte të ndryshme të ndeshjes”.

Si gjithmonë, i gjithë fokusi është te Cristiano Ronaldo në Brazil, por Bento thotë se ylli i Real Madrid nuk po përballet me më shumë presion në këtë Botëror, nga ç’ndodh zakonisht.

“Kur mora drejtimin e kombëtares, deklarova se kurrë nuk do t’i vija përgjegjësinë e zgjidhjes së problemeve mbi shpatulla Ronaldos, apo kujtdo lojtari tjetër. Kjo është çështje që më përket mua. Ai është një lojtar i rëndësishëm për ekipin, por nuk besoj se po ushtrohet më shumë presion se herët e tjera. Ai po trajtohet normalisht, kemi një nga lojtarët më të mirë në botë, por janë të tjerët që duhet ta mbështesin. Nëse do të kishim lojtarët më të mirë në botë, nuk besoj se do kishim shkuar shumë larg”.

Top Channel