Spanja, Alonso tërhiqet nga kombëtarja

22/06/2014 00:00

Ndeshja me Australinë do të jetë e fundit për Xabi Alonson me fanelën e kombëtares spanjolle, një vendim i cili ishte marrë përpara fillimit të Botërorit brazilian.

Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, Alonso do ta zyrtarizojë në një kohë të shkurtër lamtumirën ndaj “La Roja”, për t’u përqendruar tashmë vetëm te Real Madrid.

Pas humbjes shokuese ndaj Kilit dhe eliminimit nga Botërori, mesfushori spanjoll akuzon gjithë ekipin e Spanjës për “mungesë urie”, një deklaratë që ka krijuar një situatë të turbullt në dhomat e zhveshjes.

Megjithatë, mesfushori madrilen ka sqaruar deklaratat e rënda. “Kur kam folur për mungesë urie, nuk i jam referuar mungesës së impenjimit apo dëshirës për të fituar, por faktit që nuk kemi pasur intensitetin e nevojshëm në këtë fazë finale të Botërorit”.

Spanja, e cila konsiderohet si kombëtarja më e mirë e të gjitha kohërave, e cila vinte si kampione në fuqi e Botës, ka kopjuar Francën e vitit 2002 dhe Italinë e vitit 2010. Humbjet e menjëhershme ndaj Holandës dhe Kilit i kanë dhënë fund “karrierës ndërkombëtare” një “gjenerate të lavdishme” futbollistësh, të cilët me Aragones fillimisht dhe me Del Bosque më pas, kanë triumfuar si në Botëror edhe në Europiane me “La Roja”-n.

Revolucioni i “La Roja”-s

Me siguri do të largohen edhe Xavi, Villa dhe ndoshta Casillas me Torres. Por, ata që do të mbeten janë Pique, Sergio Ramos, Jordi Alba, Iniesta, David Silva dhe ndoshta Pepe Reina. Në gjeneratën e re pritet të bëjë pjesë edhe David De Gea, në mesfushë do të përfshihet Koke, i mbiquajtur nga Xavi si “Princi i Kurorës”, si dhe Isco, Thiago Alcantara, Illarramendi, Iturraspe, Deulofeu dhe Muniain.

Në prag promovimi në kombëtare janë edhe Daniel Carvajal, Montoya, San Jose, dhe Bartra, sa i përket mbrojtjes, si dhe Alvaro Morata dhe Rodrigo, sa i përket sulmit.

Top Channel