Franca kualifikohet me 5 gola ndaj Zvicrës

20/06/2014 00:00

Kombëtarja Franceze ka bërë një paraqitje fantastike ndaj Zvicrës së udhëhequr nga shqiptarët, duke fituar me rezultatin e thellë 5-2.

Francezët e drejtuar nga Didier Deschamps e nisën mjaft mirë takimin duke shënuar që në minutën e 17 me anë të Giroud dhe vetëm pas 60 sekondave, Matuidi dyfishon shifrat. Pas këtyre dy golave lojtarët zviceranë, me në krye shqiptarët, Shaqiri, Xhaka, Behrami dhe Mehmedi, nuk arritën të dilnin në lojën e tyre, duke mos arritur thuajse asnjëherë në portën kundërshtare në 45 minutat e para.

E kundërta ndodhi me lojtarët francez, të cilët edhe pse ishin në avantazh të dy golave vazhduan ende të sulmonin. Në minutën e 32 Benzema humbi një 11-metërsh, por Valbuena do të shënonte edhe golin e 3-të në minutën e 40.

Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtën lojë si e para me Francën më kërkuese, e cila arriti të shënoi edhe 2 gola të tjerë me Benzema dhe Sissoko. Lojtarët e Zvicrës arritën të reagonin vetëm në 15 minutat e fundit duke shënuar 2 gola, të dy nga lojtarët me origjinë shqiptare, Blerim Xhemaili dhe Granit Xhaka.

Pas kësaj fitoreje Franca ka siguruar kualifikimin dhe vendin e parë në grup, ndërsa Zvicra do të luajë ndaj Hondurasit për të siguruar edhe ajo një vend në 1 të 16-at.

Top Channel