Van Persie: Sfida më të vështira na presin

20/06/2014 00:00

Pas një ndeshjeje hapëse që i bëri ata të fluturonin në qiell, Holanda duket se u zbrit me këmbë në tokë pas rrezikut të hasur të mërkurën. Australia ishte ekipi që i zgjoi nga gjumi, duke rrezikuar së tepërmi, me avantazhin 2-1, një ekip “tulipanësh” që, vetëm disa ditë më parë, kishte shpartalluar kampionët në fuqi të Botës.

Ekipi i Louis van Gaal siguroi një fitore 3-2, falë golave të kapitenit Van Persie dhe të riut Memphis Depay, i futur si zëvendësues. Ndërkohë që për shumë veta, kjo ndeshje jo bindëse ngre sërish dyshime mbi shanset e tyre në Botëror, Van Persie beson se Australia mund të rezultojë në këmbanën e zgjimit për lojtarët me më pak eksperiencë të skuadrës.

“Po, ishte e vështirë, – tha ai për FIFA-n, – por jemi në një Botëror. Ky është turneu më i madh në botë, me lojtarët më të mirë të mundshëm, ndaj dhe të gjithë e dinë se përballemi me vështirësi. Një rast i tillë ishte edhe Australia, madje një konfirmim i tillë mund të ndodhë edhe në javën e ardhshme, apo në vijim. Siç thashë, ky është Botërori. Megjithatë, e rëndësishme është që ne jemi kualifikuar, ndryshe nga ç’mund të kishte parashikuar dikush, pas vetëm dy ndeshjesh. Kjo është një situatë shumë e favorshme për ne”.

Në përballjen e fundit në grup, kundër Kilit me po 6 pikë sa Holanda, Van Persie do të mungojë për shkak kartonash.

Top Channel