Anglia, media “shigjeton” Hodgson

20/06/2014 00:00

E keqja nuk ka kufij. Ky është thelbi i shprehur nga thuajse të gjitha mediat e shkruara britanike, një ditë pas humbjes së Anglisë me Uruguajin, në ndeshjen e dytë të grupit D, në Botërorin e Brazilit.

Nuk mund të mos evidentohet fakti që “3 Luanët” janë një hap nga eliminimi, ndaj dhe për këtë shigjetohet trajneri Roy Hodgson. “Menduam se kishim prekur fundin 4 vjet më parë, – shkruan Daily Mail, – por tashmë përballemi me një tjetër skandal. Hodgson është më dobët se Capello”.

4 vjet më parë, në Botërorin e Afrikës së Jugut, Anglia u eliminua në 16-she, pas humbjes 4-1 me Gjermaninë, pasi kaloi një grup të përballueshëm. Këtë herë, Rooney me shokë janë thuajse të eliminuar pas vetëm 2 ndeshjesh.

“Hodgson është një person i zoti, – vijojnë gazetat britanike në analizat e tyre thumbuese. – Është i shkëlqyer, miqësor, por këto nuk e bëjnë automatikisht njeriun e duhur për të drejtuar kombëtaren. Objektivi ynë është të fitojmë Botërorin në Rusi? Me atë në pankinë thjesht nuk do të ndodhë kurrë”.

Top Channel