Shpërbërja e Spanjës

20/06/2014 00:00

Disfata e papritur dhe e pashpjegueshme e Spanjës në Botërorin e Brazilit vetëm pas dy ndeshjeve të para të grupit B ka bërë që futbollistët e saj të shkojnë në Kuritiba të shkatërruar moralisht. Duhen edhe disa ditë deri në ndeshjen e kotë që iberikët do të luajnë përballë Australisë dhe Del Bosque do të aktivizojë të gjithë ata lojtarë që nuk kanë luajtur deri tani.

Sipas gazetës ‘AS’, lojtarët pothuajse nuk kanë folur fare me njëri-tjetrin gjatë udhëtimit nga Rio de Zhaneiro në Kuritiba. Një orë e gjysmë udhëtim që ngjante me një funeral.

“Tani do të kalojmë pesë ditë në Kuritiba. Aty është ftohtë dhe ne do të jemi me mendjen tek pushimet, ndërkohë që duhet të presim të luajmë me Australinë”, tha një nga lojtarët kryesore të Spanjës, emri i të cilit nuk bëhet i ditur.

Futbollistët spanjollë u stërvitën të enjten pasdite duke mos bërë asnjë shaka me njëri-tjetrin dhe pa asnjë buzëqeshje në fytyrë. Gjithashtu, stërvitjes i mungonte intensiteti.

Edhe pse ftohtë, Kuritiba do të jetë në ditët në vazhdim një ferr i vërtetë për Spanjën.

Top Channel