Casillas: Ky grup meritonte një fund tjetër

19/06/2014 00:00

Iker Casillas i kërkoi falje tifozëve pas humbjes së Spanjës kundër Kilit (2-0) dhe eliminimit të saj nga Botërori i Brazilit.

“I kërkojmë falje tifozëve, por duhet ta dinë që u përpoqëm shumë që t’i jepnim një tjetër gëzim. Ne lojtarët jemi përgjegjësit kryesorë dhe jemi të zhgënjyer. Ishte një goditje e rëndë, por duhet ta kapërcejmë këtë situatë”, deklaroi kapiteni i iberikëve.

Kur u pyet nëse ky dështim nënkupton mbylljen e ciklit fitues të Spanjës, portieri i Realit u përgjigj: “Nuk është momenti për të folur për gjëra të tilla ose për të drejtuar gishtin ndaj personave të caktuar. Jemi disa lojtarë që i kemi kaluar të tridhjetat dhe trajneri do të marrë vendimet e tij që do të pranohen nga të gjithë. Ky grup nuk e meritonte një fund të tillë.”

“Tani duhet ta mbyllim sa më mirë këtë Botëror ndaj Australisë. Kur nuk je në formë dhe nuk ke fat, Botërori nuk të fal. Askush nuk e priste diçka të tillë, por kështu e ka futbolli. Para katër vitesh përjetuam anën e bukur të këtij sporti, tani përjetuam anën e errët”, shtoi Casillas.

Top Channel