Botërori, Australia kthehet në shtëpi

18/06/2014 00:00

Holanda përmbysi rezultatin dhe mposhti 3-2 përfaqësuesen australiane, e cila është dhe skuadra e parë që i jep lamtumirën Kupës së Botës “Brazil 2014”.

Ndryshe nga ndeshja me Spanjën, ku përmbysën rezultatin dhe fituan me një rezultat të thellë, këtë herë holandezët e Van Gaal vuajtën shumë përballë australianëve, kjo ndoshta ngaqë dyshja Van Persie-Robben nuk bashkëpunuan ashtu si 5 ditë më parë.

Sfida u zhbllokua në minutën e 20. Këmbëngulja e Robben bëri që Holanda të kalojë e para në avantazh. Por, festa e tifozëve “portokallinj” zgjati vetëm 60 sekonda, pasi Cahill barazoi shifrat me një gol tipik të Van Basten.

Pjesa e dytë solli të tjera supriza. Në minutën e 54-t, Australia fitoi një 11-metërsh, që u shndërrua në gol nga Jedinak. Ky gol duket se zgjoi holandezët nga gjumi, të cilët brenda pak minutave rrezikuan 2 herë portën e australianëve, madje barazuan me kapitenin Van Persie.

Golin e tretë dhe të fitores për skuadrën e Van Gaal e shënoi Depay, në minutën e 68. Ky është një tjetër rast në “Brazil 2014”, që një lojtar, i cili vjen nga stoli, shënon gol dhe bëhet protagonist i fitores së skuadrës së tij.

Triumfi 3-2 në ndeshjen e dytë e ngjit Holandën në krye të grupit B. Tashmë tulipanëve do t’u mjaftojë edhe një barazim në sfidën përballë Kilin, për të siguruar vendin e parë në grup, pasi e kanë të sigurt që do të vazhdojnë më tej aventurën në “Brazil 2014”.

Top Channel