Belgjika fiton me vështirësi

17/06/2014 00:00

Belgjika përmbysi rezultatin dhe mposhti 2-1 Algjerinë në ndeshjen e parë të saj në “Brazil 2014”.

Skuadra e drejtuar nga Vilmots zhgënjeu në pjesën e parë pasi luajti shumë me topin, por nuk arriti në asnjë moment të rrezikonte portën kundërshtare. Ndryshe luajti Algjeria, e cila gjatë 45 minutave kishte kundërsulmin si armën më të fortë.

Madje, gjatë një aksioni të tillë ata fituan një 11-metërsh që u shndërrua në gol nga Feguli.

Ndryshimet e bëra nga Vilmots në pjesën e dytë gjallëruan skuadrën belge e cila barazoi rezultatin në minutën e 70 me Felainin. 10 minuta më vonë Mertens shënoi golin e dytë për Belgjikën e cila ngjitet në krye të grupit me 3 pikë.

Edhe pse pritej që të debutonte me Belgjikën që në këtë ndeshje, Adnan Januzaj e ka shijuar nga stoli fitoren e kombëtares së Vilmots. Skuadra europiane kërkon ta mbyllë fazën e grupeve në vendin e parë, për të mos u përballur me Gjermaninë në raundin tjetër.

Top Channel