Lazarati? Jo, PD sheh Botërorin

17/06/2014 00:00

E si mund të shkëputet politika nga sporti, aq më tepër kur bëhet fjalë për kampionatin botëror? Politika, sidomos ajo e opozitës mund të shkëputet nga ngjarjet e ditës, por jo nga futbolli dhe nga “Brazil 2014”.

Mes pritshmërive për reagimin nga opozita për Lazaratin, zyra e shtypit e Partisë Demokratike ka shpërndarë një deklaratë zyrtare, jo për përplasjet e armatosura mes policisë dhe trafikantëve të hashashit, por për kë nga 32 skuadrat e Botërorit të Brazilit bëjnë tifo deputetët demokratë.

I pari i listës vijon të mbetet Sali Berisha, që mund të ketë dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë, por jo nga kryesimi i grupit të tifozëve. Dhe, siç është i pari në listë, Berisha synon të mbetet fitues edhe pasi Botërori të ketë përfunduar.

Ai nuk ka një preferencë dhe, në të njëjtën kohë, ka për të gjithë: thotë se është vetëm me fituesin, kushdo që të luajë, pavarësisht ngjyrës së fanelës. E nëse i hedh një sy të përgjithshëm listës së publikuar, kupton se, ashtu si një pjesë e mirë e shqiptarëve, edhe te kjo parti dominon tifozllëku me Gjermaninë.

Shumica e grupit të Partisë Demokratike mbështesin gjermanët dhe Merkelin, të paktën në futboll, dhe këtyre mund t’u shtohet – në rast se Gjermania fiton kampionatin – edhe deputeti Berisha, por, kuptohet… pas finales.

Pavarësisht se shqiptarët janë të ndarë në disa skuadra, ku edhe Italia është dominuese, në grupin e Partisë Demokratike “axurrët” janë në minorancë. Ndonëse dy herë më shumë, se sa holandezët dhe brazilianët.

Brezat e ndryshëm në këtë parti janë të lidhur edhe me breza të ndryshëm futbollistësh, ndaj dhe tifozët holandezë janë më së shumti ata të lidhur me brezin e viteve ’70 të Johan Cruijf, për t’u pasuar me tulipanët e famshëm të Milanit, të fillim viteve ’90.

Brazili legjendar, me 5 kupa bote të fituara, mund të jetë favorite kryesore edhe për këtë Botëror, por jo mes demokratëve. Vetëm tre deputetë; Strazimiri, Deda dhe Keta; janë deklaruar mbështetës të Seleçaos.

Top Channel