Gjermania shkatërron Portugalinë

16/06/2014 00:00

Gjermania ka shkatërruar Portugalinë me rezultatin e thellë 4-0 në ndeshjen e parë të grupit G në finalet e këtij botërori.

Goli i parë mbërriti në minutën e 12. Mario Gotze ndalet në mënyrë të parregullt nga mbrojtësit portugezë dhe gjyqtari i takimit jep një 11-metërsh. Muller merr përsipër goditjen nga pika e bardhë dhe nuk gabon.

Në minutën e 32 Hummels fiton një duel ajror me Pepen brenda zonës portugeze dhe dyfishon rezultatin. Pesë minuta më vonë vjen edhe episodi që vendos fatin e këtij takimi. Mbrojtësi Pepe shkakton një faull ndaj Muller, e për më tepër nuk përmban nervat dhe e godet lehtësisht, por me qëllim me kokë atë. Kaq mjaftoi që nga xhepi i gjyqtarit serb të takimit të nxirrej kartoni i kuq për të.

Por gjermanët nuk janë të kënaqur me kaq. Në sekondat shtesë të pjesës së parë, Muller godet sërish nga brenda zonës. Topi devijohet lehtë nga njëri prej portugezëve dhe përfundon në rrjetë e bashkë me të edhe pjesa e parë me rezultatin 3-0.

Pjesa e dytë nis sërish me Gjermaninë agresive, ndërsa Portugalisë në inferioritet numerik nuk i mjafton as një lojtar si Ronaldo për t’i bërë ballë gjermanëve. Në minutën e 78, Muller vulos gjithcka, 3 gola për të që e rëndisin menjëherë në krye të listës së golashënuesve të këtij botërori, ndërsa Gjermania tregon dhëmbët si pretendente.

Top Channel