Holanda i thotë “PO” statusit

16/06/2014 00:00

Ndryshe nga dhjetori ku Holanda doli në kërkim të aleatëve brenda BE-së për t’i shtyrë statusin e vendit kandidat Shqipërisë, këtë herë ky vend mbështet rekomandimin e Komisionit Europian që i tha “PO” pa hezitim dhe mëdyshje statusit për Shqipërinë.

Të paktën qeveria holandeze në këtë letër të siguruar nga Top Channel, që i është dërguar Parlamentit kombëtar i cili do të mblidhet në ditët e ardhshme për të ratifikuar qëndrimin ndaj Shqipërisë, thotë se mbështet raportin e Komisionit Europian për vendin tonë.

“Bazuar në qasjen holandeze strikt dhe të drejtë, qeveria ndan mendimin e Komisionit se Shqipëria i është përgjigjur thirrjes që Këshilli i bëri në dhjetor 2013. Qeveria vë në dukje se që në dhjetor 2013, një shumicë e madhe e vendeve anëtare ishin mbështetës të dhënies së statusit të vendit kandidat”, thuhet në letër.

Qeveria holandeze përmes kësaj letre të ministrit të saj të Jashtëm, i ka vënë në dispozicion Parlamentit të saj gjetjet e Komisionit Europian për Shqipërinë, ku theksohet se gjatë periudhës së raportimit, qeveria shqiptare ka treguar aksion konkret dhe vullnet politik në zbatimin e legjislacionit, e veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Qeveria holandeze nxit vijueshmërinë e reformave të cilat thotë se janë në rrugën e duhur. Por po ashtu si Komisioni, ky vend gjithashtu vlerëson se hapja e negociatave është ende larg.

“Vendi duhet të vazhdojë të japë prova dhe të tregojë reforma të qëndrueshme gjatë viteve të ardhshme. Reformat dhe zbatimi i tyre do të monitorohen ngushtë. Ky mesazh i është komunikuar në mënyrë të qartë kryeministrit Rama, i cili vizitoi Holandën më 26 maj dhe bisedoi me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm. Gjatë vizitës, qeveria holandeze ka mirëpritur axhendën e qartë të reformave të qeverisë shqiptare dhe hapat konkrete që janë ndërmarrë në zbatim të saj. Ky mesazh është koordinuar ndërmjet disa vendeve anëtare dhe i është përcjellë kryeministrit shqiptar edhe prej tyre”, thuhet në letër.

Sllovenia: E kemi mbështetur zgjerimin
Bushati në Lubjanë: Duam të avancojmë në BE

Ndërsa mbeten dhe pak ditë nga vendimi i Këshillit të Bashkimit Europian për statusin e Shqipërisë, diplomacia jonë vijon komunikimin intensiv me vendet anëtare.

Sllovenia, ku është ndalur vizita e radhës e ministrit tonë të Jashtëm, Ditmir Bushati rikonfirmoi veçanërisht qëndrimin pro Shqipërisë në avancimin drejt BE-së.

“Sllovenia ka qenë, është dhe do të mbetet një mbështetëse e fuqishme e procesit të zgjerimit në Ballkanin perëndimor në përgjithësi dhe e Shqipërisë në veçanti”, u shpreh zv/kryeministri dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm slloven në takimin me homologun shqiptar, Bushati, mes të cilëve pritshmëria e dhënies së statusit kandidat për vendin tonë ishte ndër temat qendrore.

Mbështetja sllovene vjen vetëm një ditë përpara vizitës në Tiranë të shefit të diplomacisë austriake, vend që këtë herë është renditur në krye të lobimit për statusin e Shqipërisë.

Top Channel