Sot sprova e parë e Gjermanisë

16/06/2014 00:00

Kampionati botëror ka hyrë tashmë në ritmin e tij më të lartë dhe, padyshim, mes emocioneve të mëdha pritet edhe përballja e madhe e ditës së sotme, Gjermani-Portugali në “Fonte Nova Arena”.

Dyshimet më të forta të këtij takimi kanë qenë për yllin portugez, Cristiano Ronaldo, i cili në ditët e para të stërvitjes në këtë Botëror ka pasur një problem në gju. Gjithsesi, stafi mjekësor i skuadrës së Portugalisë duket i bindur që ai do të luajë sot, por Paulo Bento mbetet ende me dhimbje koke, pasi ylli i Realit të Madridit është vlera më e madhe e skuadrës së tij.

Nga ana tjetër, Gjermania e Joackim Low ka ardhur në këtë Botëror me një mungesë të rëndësishme, siç është Marko Reus, por ai duket se është i vetmi problem, pasi pjesa tjetër e skuadrës është në gjendje të mirë fizike.

Të dyja këto përfaqësuese janë përballur së bashku 9 herë, nga këto 5 herë ka fituar Gjermania dhe vetëm 1 herë Portugalia. Në ndeshjet e prag-Botërorit, të dyja këto skuadra nuk kanë pësuar asnjë humbje, megjithatë në kualifikueset europiane Portugalia u rendit e dyta, pas Rusisë, dhe siguroi biletën për në Brazil falë “Play-off”-eve me Suedinë.

Nëse Cristiano Ronaldo është sulmuesi më i mirë i të gjithë historisë së Portugalisë, me 49 gola në 111 ndeshje, gjermani Miroslav Klose është gjithashtu golashënuesi më i mirë i historisë së Gjermanisë, me 69 gola. Për më tepër, ai është pranë hyrjes në histori, si golashënuesi më i mirë i Botëroreve. Kjo, pasi atij i duhen edhe 2 gola, për të kaluar “fenomenin” brazilian Ronaldo, që mban rekordin me 15 gola.

Përballja mes Gjermanisë dhe Portugalisë do të luhet në orën 18:00, për t’i lënë radhën më pas sfidave Iran-Nigeri, në orën 21:00, dhe Ganë-SHBA, në mesnatë.

Top Channel