Aksidentohen 5 të rinj në Pogradec

16/06/2014 00:00

5 të rinj, mes të cilëve djemtë e deputetit i cili ndërroi jetë pak kohë më parë Besnik Jaçellari, janë plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti të ndodhur mëngjesin e së hënës në qytetin e Pogradecit.

Sipas të dhënave, aksidenti është regjistruar në dalje të qytetit ku mjeti me targa Pg 6092 B është përplasur me një shtyllë tensioni. Mësohet se në mjetin që po udhëtonte me shpejtësi, udhëtonin 5 të rinj të cilët kanë marrë dëmtime të shumta.

Përplasja e fortë ka bërë që të plagosurit të mbeten të bllokuar në mjet për shkak se ky i fundit është dëmtuar plotësisht ndaj është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për nxjerrjen e tyre.

Policia tha se të plagosur janë vëllezërit, Xhoi dhe Serxhio Jaçellari, djemtë e ish-deputetit të PD-së Besnik Jaçellari, i cili humbi jetën në aksident pak kohë më parë.

Ndërkaq, janë bërë të ditur edhe identitetet e të plagosurve të tjerë të cilët vijojnë të ndodhen në spitalin e Pogradecit. Së bashku me vëllezërit janë plagosur edhe Saimir Muçollari, Kevin Alla dhe Sindi Syzo.

Paraprakisht policia tha se shkak i aksidentit dyshohet të jetë bërë shpejtësia e madhe e mjetit.

Top Channel