“Suarez nuk do të luajë ndaj Anglisë”

15/06/2014 00:00

Pas humbjes së rëndë ndaj Kosta Rikës, Uruguaji duket se e ka të domosdoshme praninë në fushë të lojtarit të saj më të mirë, sulmuesit Luis Suarez, por trajneri i amerikano-latinëve ka thënë në konferencë për shtyp se lojtari i Liverpulit nuk është ende gati për të luajtur.

“Nuk bëhet fjalë për një dëmtim të gjatë pasi nëse do të ishte i tillë, do e kishim zëvendësuar me dikë tjetër dhe nuk do e merrnim me vete. Por, duhet të kalojnë edhe disa ditë në mënyrë që të rekuperohet plotësisht. Të presim”, tha Oscar Tabarez.

Uruguajit do i duhet me patjetër fitorja në ndeshjen ndaj Anglisë nëse kërkon të ketë shpresa për kalimin e grupit dhe këtë gjë Tabarez e di shumë mirë.

“Ndaj Anglisë duhet të jemi 100% në formë dhe për këtë arsye është e pamundur që Suarez të luajë”, deklaroi trajneri, por nuk përjashtohet mundësia që deklarata të tilla të jenë pjesë e një taktike për të hutuar kundërshtarët dhe në këtë ndeshje vendimtare Suarezi të jetë në fushë.

Top Channel