Përfundon “Rally Albania”

15/06/2014 00:00

Edicioni i 10 i “Rally Albania” është mbyllur me një ceremoni fantastike në Tiranë, duke kurorëzuar më së miri garën e makinave dhe motorëve “off-road”, në më shumë se 2000 km anembanë Shqipërisë.

Ka ndryshuar viti, por jo kampionët në çdo kategori, në renditjen e përgjithshme, pasi Renti Sina dhe Dolly Wittberger, në makina, dhe italiani Andrea Consentino, te motorët, kanë marrë vendet e para në fundin e turneut drithërues, të vendosur shumë hollë.

Kolonia e pilotëve italianë ka dominuar në çmimet e motorëve, në shumicën e kategorive të ndara sipas kubikëve, ndërsa në renditjen e përgjithshme, Andrea Consentino ka fituar titullin e katërt në “Rally Albania”, duke lënë pas krahëve çekun Ondrej Klimcië në metrat e fundit.

Beteja mes tyre u vendos vetëm në çastet e fundit të etapës finale prej 71 km në lumin Erzen, diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë në këtë kompeticion. Në vendin e tretë për motorët, një tjetër italian, Cristian Pastori, ndërsa morën çmime edhe greku Atanasopulos dhe sllovaku Boris Vlha.

Te makinat, fituesi mbeti enigmë deri në etapën e pestë, kur në kthimin nga Orikumi drejt Tiranës, kryesuesi Spartak Marku pësoi një aksident duke u përmbysur me makinë dhe duke humbur minuta të çmuara përveç kryesimit në renditjen e përgjithshme.

Rivali i tij kryesor, Renti Sina, me një garë të kujdesshme dhe strategjike, shfrytëzoi në maksimum dhuratën nga dyshja Marku/Voko, duke marrë me meritë vendin e parë dhe kupën e turneut.

Në vendin e dytë te makinat u rendit dyshja Almir Dervishaj dhe Mario Papuli, ndërsa në shkallën më të ulët, por jo më pak të rëndësishme të podiumit, ishte dyshja gjermane Strasser.

“Ndoshta reklama më e bukur për Shqipërinë, për burimet tona natyrore, për njerëzit tanë dhe për turizmin tonë, që asnjë lloj paraje nuk e bën dot. Kështu që shumë falemnderit të gjithëve”, u shpreh ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj.

Në 8 ditët e garës, qindra pilotëve pjesëmarrës nga 23 vende të botës, iu bë edhe një super-promovim vlerave turistike të Shqipërisë. Dhe, ashtu siç historia e ka treguar më parë, ata kthehen më të shumtë në numër për pushime dhe për të garuar në “Rally Albania”.

Top Channel