Balotelli: Jemi Italia. Vuajmë, por fitojmë

15/06/2014 00:00

Mario Balotelli ka shfaqur që në ndeshjen e parë, atë debutim që mund të kishte ëndërruar prej kohësh. Madje jo vetëm për të, pasi me golin e shënuar dhe fitoren e dhënë Italisë, 2-1 me Anglinë, sulmuesi i Milanit ka bërë të ëndërrojnë edhe italianët.

“Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar. Është hera e parë për mua në një Botëror, që shënoj gol, ndërsa fitorja e arritur prej golit tim më bën edhe më të lumtur”.

Kujt ia dedikon golin? “Gruas sime të ardhshme, e cila është këtu pranë meje. Ia dedikoj familjes dhe miqve të mi, të cilët më kanë parë nga televizori”.

Ku mund të arrijë kjo Itali? “Nuk e di, luajtëm në Manaus në kushte thuajse ekstreme. Bën shumë nxehtë dhe nuk është gjë e mirë. Nuk e di përse nuk kanë aplikuar pushimet ekstra për t’u freskuar. Se deri ku mund të shkojmë nuk e di, por tani për tani mendoj për Kosta Rikën, pasi duhet ecur përpara hap pas hapi”.

Një mendim në lidhje me ndeshjet e zhvilluara deri tani… “Di të them se nuk ka skuadra të dobëta, janë të gjithë të fortë dhe të organizuar, ndaj dhe do të jetë e vështirë për të gjithë. Ne kemi bërë një hap të mirë, por vetëm një hap… Nuk duhet të rehatohemi, sepse përndryshe nuk shkojmë gjëkundi. Të gjitha kombëtaret janë të forta, por ne jemi Italia. Vuajmë gjithnjë, por dimë të luajmë mirë dhe të fitojmë”, ka deklaruar pas fitores së të shtunës, sulmuesi i “axurrëve”, Mario Balotelli, autor i golit të dytë ndaj Anglisë.

Top Channel