“Elefantët” e Bregut përmbysin Japoninë

15/06/2014 00:00

Bregu i Fildishtë bën të pamundurën, duke përmbysur brenda 2 minutave avantazhin e sigluar nga Honda për Japoninë e Alberto Zaccheroni-t, falë golave në pjesën e dytë të shënuar nga Bony dhe Gervinho.

Tashmë, “elefantët” afrikanë janë ngjitur në krye të renditjes në grupin C, së bashku me Kolumbinë, me nga 3 pikë secili.

Në ndeshjen e debutimit në Botërorin brazilian, afrikanët gjenden menjëherë në disavantazh, pas golit të milanistit Keisuke Honda, ndërkohë që në pjesën e dytë aktivizohet Drogba dhe ndryshon gjithçka.

Brenda 2 minutash vijnë dy gola, fillimisht nga sulmuesi i Swansea-s, Wilfried Bony, dhe më pas nga ai i Romës, Gervinho, por ajo që ra më shumë në sy ishte lënia në pankinë e lojtarëve të tillë, si Drogba dhe Kolo Toure.

Edhe Zaccheroni kishte hequr dorë nga shërbimet e “ekspertit” Konno, për të aktivizuar nga fillimi Morishige, dhe në minutat e para duket se italiani pati të drejtë. Por, në fund, gjithçka foli në favor të afrikanëve.

Në ndeshjet e dyta për këtë grup, Kolumbia do të presë Bregun e Fildishtë, ndërsa Japonia do të luajë me Greqinë.

Top Channel