Italia “zbut luanët” e Anglisë

15/06/2014 00:00

Italia ka debutuar me një performancë tepër bindëse në Botërorin e Brazilit, duke fituar 2-1 ndaj Anglisë, një sukses i vyer dhe shumë i vuajtur. Fillimisht, “axurrët” kaluan në avantazh me anë të Marchisio-s, në minutën e 35’, por vetëm 2 minuta më vonë Sturridge barazon për “3 luanët”.

Me fillimin e pjesës së dytë, kur kishin kaluar vetëm 5 minuta, Balotelli shënon pas një goditjeje perfekte me kokë, duke i dhënë italianëve 3 pikët e para në këtë Botëror, si dhe duke i lançuar ata si pretendentët kryesorë për të fituar grupin, sidomos pas humbjes së Uruguajit me Kosta Rikën.

Sfida më e fortë e zhvilluar deri më tani, apo ajo më e ekuilibruara, ka nisur menjëherë me frikë. Loja nisi vrullshëm, teksa anglezët ishin më kërkues në fillim, sidomos pas rasteve të Sterling dhe Henderson, por Sirigu, i cili zëvendësoi në portë Buffon-in e dëmtuar, ia doli të mbrojë katërkëndëshin e tij.

Edhe pse anglezët kishin një “marsh” më shumë se italianët, pavarësisht se këta të fundit kontrollonin më shumë topin, ishin pikërisht “të kaltrit” që kaluan në avantazh, një gëzim që nuk zgjati më shumë se sa 2 minuta, por që gjithçka u kthye sërish në festë në fillim të pjesës së dytë.

Deri në fund nuk ndryshoi asgjë, me përjashtim të faktit se “3 luanët” u raskapitën dhe nuk mundnin më të rrezikonin, madje duke bërë shumë gabime në pasime e krosime, ndërkohë që Pirlo, “dirigjenti” i palodhshëm i “axurrëve” kishte ruajtur më në fund një nga goditjet e tij të befasishme, por që për fat të keq nuk u shndërrua në “perlën” e radhës, pasi nuk e lejoi traversa…

Top Channel