Grupi C, Kolumbia gjunjëzon Greqinë

14/06/2014 00:00

Kolumbia e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e saj në Botërorin e Brazilit. Skuadra kolumbiane mundi me shumë lehtësi në ndeshjen e saj të parë në Grupin C, Greqinë me rezultatin 3-0 në sytë e sulmuesit Radamel Falcao, që nuk merr pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm për shkak të një dëmtimi në gju.

Kolumbia e nisi mjaft mirë ndeshjen duke marrë avantazhin në minutën e pestë me Pablo Armero. Greqia u përpoq të reagonte dhe pati një mundësi për të barazuar rezultatin me Torosidis, por gjuajtja e këtij të fundit përfundoi jashtë.

Por rastin më të pastër për skuadrën greke e pati futbollisti Kone’, me një gjuajtje jashtë zone, por portieri kolumbian nuk u mashtrua dhe e evitoi golin e barazimit.

Në minutën e ‘58 skuadra amerikano-latine shënoi sërish dhe këtë radhë ai që ndëshkoi ballkanasit ishte Gutierrez për të rritur qetësinë tek Kolumbia. Edhe pse në disavantazhin 0-2, Greqia u përpoq të godiste portën kolumbiane.

Gekas ishte i pafat në tentativën e tij, kjo sepse u ndal nga traversa, ndërsa Samaras e dërgoi topin vetëm pak centimetra larg portës kundërshtare. Nuk mund të mungonte emri i James Rodrigez në këtë ndeshje.

Talenti 23-vjeçar i Monakos në minutat shtesë vulosi fitoren 3-0 për skuadrën e Kolumbisë, e cila ndeshjen e rdhës do ta luajë përballë Bregut të Fildishtë, për të mbyllur fazën e grupeve me sfidën ndaj Japonisë.

Top Channel