Durrës, ekzekutohet biznesmeni

14/06/2014 00:00

Kujtim Dyrmishi, 49 vjeç dhe i njohur me pseudonimin Tixhja, u ekzekutua me armë zjarri paraditen e së shtunës në qytetin e Durrësit, pesë muaj nga vrasja në një atentat me eksploziv të bashkëpunëtorit të tij, biznesmenit Xhemal Çela.

Ngjarja ndodhi në sektorin “Iliria”, ndërsa policia u vu në ndjekje të një automjeti tip “Benz”, i llojit 240 dhe me targë “01204 KS”, me të cilin u larguan autorët. Sipas dëshmitarëve, viktima u qëllua me breshëri automatiku brenda automjetit të tij, me targa të huaja “DP 411 VF” nga dy persona që po e ndiqnin.

Pak orë pas krimit policia deklaroi se ka gjetur të braktisur automjetin e autorëve të vrasjes, i cili u la nga ata në afërsi të Rrashbullit, në autostradën Durrës-Tiranë. Policia raportoi se brenda në mjet u gjetën 3 armë zjarri, prej të cilave dy automatikë tip “Skorpion” dhe një tjetër i modelit 56.

Duke shpjeguar dinamikën e ngjarjes, policia tha se, viktima është qëlluar për vdekje sapo ka ndezur automjetin e tij nga dy persona, njëri prej të cilëve drejtonte mjetin tjetër dhe tjetri hapte zjarr.

Policia kishte ngritur postoblloqe të shumta përgjatë rrugëve që dalin nga plazhi i Durrësit dhe në një nënkalim në Rrashbull, në superstradën Durrës-Tiranë, arriti të gjejë të braktisur automjetin e autorëve bashkë me armët e krimit.

Ndërkohë, burime nga grupi hetimor e klasifikojnë atë si një vrasje me pagesë, të kryer nga profesionistë. Pista e hakmarrjes është ajo ku janë përqëndruar hetimet e para për zbardhjen e ngjarjes.

Teksa po hetohen konfliktet që lidhen me të kaluarën problematike të Dyrmishit, hetuesit nuk përjashtojnë as një larje hesapesh pasi 49-vjeçari dyshohet për atentatin e kryer me eksploziv ndaj Çelës në janar të këtij viti.

Kjo, pavarësisht se për këtë vrasje nuk ka pasur emra të dyshuarish, duke mbetur e pazbardhur, edhe pse e përfolur si e lidhur me serinë e krimeve të kryera nga banda e tritolit.

Top Channel