FIFA, Beckenbauer pezullohet për 3 muaj

13/06/2014 00:00

FIFA ka pezulluar përkohësisht fituesin e Kupës së Botës, Franz Beckenbauer, nga të gjitha aktivitetet futbollistike për 90 ditë, për shkak se dështoi të bashkëpunonte në hetimin për korrupsion të Botërorit 2022 në Katar.

Beckenbauer, i cili fitoi Botërorin me Gjermaninë Perëndimore si lojtar dhe si trajner, iu kërkua të ndihmonte në hetimin etik të FIFA-s.

68-vjeçari ishte pjesë e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, që votoi për t’ia dhënë të drejtën e organizimit të Botërorëve Rusisë, në 2018-n, dhe Katarit, në 2022-shin.

Beckenbauer ishte kapiten i RFGJ-së në fitoren e Botërorit të 1974-n, ndërsa ishte trajner kur trofeu u fitua sërish prej gjermanëve 16 vjet më vonë.

Ai ka qenë edhe trajner i Marseille dhe Bayern Munich, ndërsa te bavarezët është tashmë president nderi.

FIFA tha se Beckenbauer injoroi “kërkesat e përsëritura” për të asistuar në një hetim të pavarur mbi procesin e ofertave për dy turnetë e ardhshëm botërorë, 2018-2022, që po udhëhiqet nga gjykatësi amerikan, Michael Garcia.

Por, Beckenbauer tha: “Kërkova me respekt një takim, në të cilin do të mund të flisnim për çështjen në Gjermani, por me sa duket kjo nuk dëshirohej. E megjithatë, unë nuk do të mund të kontribuoja për asgjë, për të sqaruar mbi këtë problem”.

Trupa qeverisëse e futbollit botëror tha se atij i ishte kërkuar të përgjigjej me shkrim pyetjeve të bëra ndaj tij në anglisht dhe gjermanisht.

Në një deklaratë, FIFA tha: “Shkelja e dukshme lidhet me dështimin e Beckenbauer për të bashkëpunuar me një hetim të komitetit të etikës, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për asistencën e tij. Çështja është tashmë subjekt i procedurave formale të hetimit, që po kryhet nga anëtarja e dhomës së hetimit, Vanessa Allard, si shefe e hetimit”.

Top Channel