Schumi, tashmë në repart rehabilitimi

13/06/2014 00:00

Beteja për rikuperimin e Michael Schumacher nga gjendja e komës ka hyrë në një fazë të re, teksa ai është hequr nga kujdesi intensiv dhe është futur në një repart rehabilitimi.

Nëse është e vërtet, kjo do të thotë se 45-vjeçari Schumacher është jashtë rrezikut për vdekje nga dëmtimet e tij, por niveli i progresit të bërë deri më tani mbetet i diskutueshëm.

Ky zhvillim vjen 4 muaj pasi doktorët njoftuan se ai do të niste procesin e zgjimit nga koma artificiale e induktuar, në të cilën u vendos pas aksidentit me ski në Alpet franceze, më 19 Dhjetor të vitit të kaluar.

Gjithsesi, ekspertët thonë se, nëse do të duhej të zgjohej, duhet ta kishte bërë tashmë.

Burime nga mjekët gjithnjë kanë thënë se do të vinte një ditë, kur doktorët do të duhej të informonin gruan e tij Corinna, vëllanë Ralf dhe babain Rolf, se nuk ka më asgjë se çfarë mund të bëjnë për të në repartin e emergjencave.

Kalimi në repartin e rehabilitimit nënkupton që ai do të vazhdojë të marrë të njëjtat terapi masazhuese dhe tonifikuese për muskujt, siç i ka marrë përditë, por që doktorët nuk mund të presin më përmirësime domethënëse në një afat të shkurtër kohe, të gjendjes së tij.

“Transferimi i Schumacher në një klinikë speciale rehabilituese po përgatitet dhe shanset për rikuperimin e plotë të tij tashmë janë shuar”, bëri të ditur “Bunte”. Menaxherja e Schumacher, Sabine Kehm, nuk i është përgjigjur raportimeve të fundit në revistën e përjavshme gjermane “Bunte”.

Ndërsa “Abendzeitung” në Mynih ka cituar një burim të paidentifikuar mjekësor, që thotë se ai po lëvizet brenda ambienteve të spitalit, ku është shtruar prej Dhjetorit. Tashmë u bënë më shumë se 5 muaj, që pas përplasjes tragjike me ski të Schumacher, në rezortin e Meribel të Alpeve franceze.

Top Channel