Kroatët: Na mundi gjyqtari

13/06/2014 00:00

Për kroatët (dhe jo vetëm) fajtori i humbjes ndaj Brazilit në ndeshjen hapëse të botërorit mban vetëm një emër; Yuichi Nishimura.

Gjyqtari japonez dështoi të ishte në lartësinë e spektaklit që ofroi ceremonia hapëse dhe ndeshja e zhvilluar në “Marakana”. Ai gaboi fatalisht të paktën në dy momente kyçe, dha një 11-metërsh të paqenë për Brazilin dhe u mohoi kroatëve golin e barazimit 2-2 të rezultatit në minutat e fundit të takimit, kur dha një faull, sërish të paqenë të Ivica Olic ndaj portierit brazilian, Julio Cesar.

“Gjyqtari i takimit nuk ishte asgjëkundi. Nëse dikush nuk është në gjendje që të gjykojë drejt ndeshjen hapëse të një botërori, atëherë të gjendet dikush tjetër, një që është i aftë. 2.5 miliard njerëz e panë që ajo nuk ishte penallti”, deklaroi i zemëruar pas ndeshjes trajneri kroat, Niko Kovaç.

Për kroatët gafë mbetet edhe kartoni i verdhë i Nejmar. Sipas tyre, sulmuesi brazilian duhet të ishte përjashtuar me karton të kuq për faullin e shkaktuar ndaj Modriç në mesfushë.

Por kritikat për gjykimin nuk janë ndalur këtu. Atyre u është bashkuar edhe bashkëshortja e futbollist kroat, Lovren e cila në rrjetet sociale ka publikuar një foto-sekuencë të takimit ku tregohet që Olic fiton pastër dhe pa asnjë faull dyluftimin ajror me portierin Cesar.

FOTO GALERI
1/3
Momenti i penalltise se fituar nga Fred

Top Channel