Zyrtare, Fabregas është lojtar i Chelsea-t

12/06/2014 00:00

Cesc Fabregas nuk është më lojtar i Barcelonës. Futbollisti i kombëtares spanjolle nuk ka pritur përfundimin e botërorit për t’u larguar nga Camp Nou, por ka zyrtarizuar kalimin e tij tek Chelsea i Mourinho-s.

Lajmi është konfirmuar nga klubi londinez dhe nga vetë lojtari. 27-vjeçari ka nënshkruar një kontratë 5-vjeçare me “Blutë” dhe do të mbajë fanelën me numër 4, ndërkohë që në arkat e Barcelonës përfundojnë 30 milion paund.

“Falenderoj të gjithë tek Barcelona për 3 vitet e mrekullueshme që më dhuruan. Ishte skuadra e fëmijërisë time dhe do të jem gjithmonë krenar dhe i nderuar që vesha këtë fanelë e që luajtë për një klub kaq të madh”, shkruan Fabregas në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Ky është një rikthim i ish-kapitenit të Arsenalit në Premier Ligë, por me fanelën rivale të “Topçinjve” të Venger.

“I vlerësova të gjitha ofertat me kujdes dhe në fund vendosa që Chelsea ishte zgjedhja e duhur për mua. Sigurisht, Arsenali ishte zgjedhja ime e parë, por ata nuk bënë ofertën e tyre. S’ishte e thënë. Unë u uroj gjithë të mirat në të ardhmen”, thotë Fabregas.

Për momentin detajet e kontratës së Cesc mbeten për t’u zbardhur, por ajo që dihet është se Chelsea i Mou vazhdon të përforcohet, dhe përflitet se ka nënshkruar edhe me Diego Costa-n, sulmuesin e Atletikos së Madridit që mbylli një sezon të shkëlqyer ku u shpall kampion i Spanjës dhe nënkampion i Europës.

Top Channel