Papa Françesku, urim për Botërorin

12/06/2014 00:00

“Le të zhvillohet kjo Kupë Bote me gjithë qetësinë e duhur, gjithnjë me respektin reciprok, në solidaritet dhe vëllazëri mes burrave e grave, si dhe njerëzve që janë pjesë e së njëjtës familje”.

Ky është mesazhi i Papa Françeskut, me rastin e startimit të Botërorit të futbollit në Brazil, që do të nisë sonte në mbrëmje, në orën 22:00, me sfidën inauguruese të Sao Paulo-s, mes “Selecao”-s dhe Kroacisë.

Papa, një i apasionuar së tepërmi me futbollin, ka regjistruar një videomesazh në gjuhën portugeze, që është transmetuar nga televizioni brazilian “Rete Globo”, e më pas është ritransmetuar edhe nga Radio Vatikani.

“Sporti është një instrument për të komunikuar vlerat që promovojnë më të mirën e qenies njerëzore, dhe që ndihmojnë në krijimin e një shoqërie më të paqtë e vëllazërore. Mendojmë për besnikërinë, këmbënguljen, miqësinë, ndarjen e diçkaje të përbashkët dhe solidaritetin”, ka thënë Papa Bergoglio.

Papa Françesku ka shkruar edhe një mesazh në Tëitter-in e tij, ku ka nënvizuar se “futbolli mund të jetë dhe duhet të jetë një shkollë për formimin e kulturës së takimit, që sjell harmoni dhe paqe mes popujve”, ndërsa në fund e ka mbyllur me “sekreti i fitores në fushë, por edhe në jetë, fshihet te fakti se sa mirë di të respektoj shokun tim të skuadrës, ashtu si dhe kundërshtarin tim. Askush nuk fiton i vetëm, as në fushën e blertë dhe as në jetë”!

Top Channel