Brazil, protesta pak orë para nisjes

12/06/2014 00:00

Rrugët dhe sheshet e Brazilit janë rikthyer në skena të dhunshme përplasjesh mes protestuesve dhe forcave të sigurisë, kur kanë mbetur edhe pak orë nga nisja e kampionatit botëror.

Në Sao Paolo, qyteti që do të presë ndeshjen hapëse Brazil-Kroaci, policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë protestën. Organizatorët thanë se kishin planifikuar të marshonin drejt stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja hapëse. Por policia ndërhyu duke bllokuar rrugët lidhëse të stadiumit.

Protestuesit kritikojnë autoritetet për shpenzimet marramendëse për organizimin e kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik.

Pamjet nga Sao Paolo tregojnë policinë duke shpërndarë me dhunë rreth 50 protestues në një stacion metroje në afërsi të stadiumit “Arena Corinthians”.

Protestuesit thërrisnin “Nuk do të ketë asnjë kupë”.

Vitin e kaluar Brazili u përfshi nga protesta masive kundër shpenzimeve për organizimin e botërorit. Dhjetra persona gjetën vdekjen dhe qindra të tjerë u plagosën nga këto protesta. Kërkesat e protestuesve janë sociale. Ata kërkojnë përmirësim të transportit dhe të sistemit shëndetësor.

Të hënën sindikata e punonjësve të metrove ndërpreu një grevë 3-ditore për t’i dhënë kohë bisedimeve me autoritetet. Ata kërkojnë rritje pagash dhe më shumë lehtësia në skemat e mbulimit shëndetësor dhe shoqëror. Organizatorët e grevës deklaruan se nëse bisedimet dështojnë, atëherë protesta do të rinisë ditën e nisjes së botërorit. Një grevë e tillë do të paralizonte qytetet e mëdha braziliane dhe do të shkaktonte kaos për mijëra tifozë që kanë mbërritur në vendin amerikano-latin për të ndjekur nga afër skuadrën e tyre të zemrës.

Botërori nis sonte në mbrëmje me ndeshjen me ceremoninë hapëse dhe ndeshjen e parë, Brazil-Kroaci në orën 22:00, që transmetohet drejtpërdrejtë nga SuperSport në platformën Digitalb.

Top Channel