Të gjithë me sytë nga Brazili

12/06/2014 00:00

Pas pak orësh do të startojë Botërori “Brazil 2014”, me sfidën e parë Brazil-Kroaci. Vendi organizator i këtij eventi është sigurisht një nga favoritët kryesorë, por pritet që futbolli të mos jetë kryefjala e këtij eventi botëror.

Brazili ka vendosur të jetë në qendër të vëmendjes botërore me ekonominë, politikën dhe frikën që ka mbjellë vala e re e protestave.

Rrugët, ballkonet e shtëpive dhe hoteleve, si dhe makinat në rrugët e Brazilit janë zbukuruar me flamuj apo me ngjyrat e kombëtares vendase, ndërkohë që maskota e botërorit, Fuleko, pret turistët e shumtë që mbërrijnë në aeroportet e vendit.

Botërori do të startojë me një ceremoni, e cila do të zgjasë rreth 30 minuta, ku do të performojnë yjet më të mëdhenj të botës së muzikës. Në këtë show do të këndojë dhe Jennifer Lopez, së bashku me Pitbull, këngën zyrtare të Botërorit: “Ne jemi një”.

Pas ceremonisë së hapjes, në orën 22:00, do të dalin para 66 mijë tifozëve dy skuadrat, që do të startojnë dhe Botërorin “Brazil 2014”. Vendasit e drejtuar nga Felipe Scolari luajnë në shtëpi dhe nuk duan të zhgënjejnë tifozët, që në ndeshjen e parë.

Qëllimi i tyre është fitorja, pra nisja me këmbën e mbarë, në një kampionat ku ata janë favoritët kryesorë. Kundërshtari i tyre do të jetë Kroacia, e cila asnjëherë nuk ka pasur lojtarë kaq cilësorë sa tani. Sulmuesi i Bayern Munchen, Mandzukic, do të jetë shpresa dhe arma kryesore e kroatëve për të gjunjëzuar brazilianët.

Top Channel