Botërori rrezikohet nga protestat

10/06/2014 00:00

Sindikata e punonjësve të metrove në San Paolo njoftoi pezullimin e grevës së tyre për t’u hapur rrugën bisedimeve me autoritetet qeveritare.

Greva që zgjati prej pesë ditësh paralizoi qarkullimin në qytetin më të madh të Brazilit. Drejtuesit e grevës njoftuan pezullimin e saj për të biseduar me autoritetet në lidhje me kërkesën e tyre kryesore që është rritja e pagave.

Nëse bisedimet nuk janë të suksesshme organizatorët thonë se do të rinisin protestën e tyre ditën e enjte, pikërisht kur San Paolo do të mirëpresë ndeshjen hapëse të kampionatit botëror mes Brazilit dhe Kroacisë.

Një grevë e tillë do të bllokonte mijëra tifozë për të shkuar në stadium dhe do të sillte kaos në qarkullim.

Prej muajsh Brazili është përfshirë nga trazira sociale sa i përket organizimit të botërorit. Autoritetet akuzohen nga protestuesit se po shpenzojnë miliarda dollarë për infrastrukturën e kampionatit duke lënë në mjerim sistemin shëndetësor dhe atë të transportit.

Kulmimi i këtyre protestave ishte gjatë organizimit të Kupës së Konfederata. Për ditë me radhë qytetet kryesore të vendit amerikano-latin u përfshinë nga protesta të fuqishme me përleshje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të sigurisë ku gjetën vdekjen dhjetra persona.

Top Channel