Milan shkarkon Seedorf, emëron Inzaghi-n

09/06/2014 00:00

Pritja ka zgjatur ekzaktësisht 15 ditë. Milan e kishte bërë zgjedhjen e saj që më 26 Maj dhe, që atëherë, nuk ka bërë më prapakthehu: Pippo Inzaghi-t i jepen “frenat” e drejtimit dhe të përgjegjësisë së skuadrës së parë.

15 ditë më vonë, edhe pse disi në mënyrë surprizë, Milan zyrtarizon ardhjen e SuperPippo-s në pankinë përmes një komunikate zyrtare por vetëm me 2 radhë, të publikuar pikërisht në faqen zyrtare të klubit më 14:15 minuta, të hënën.

“AC Milan komunikon shkarkimin e trajnerit Clarence Seedorf dhe ia ka besuar ekipin e parë, deri më 30 Qershor 2016, Filippo Inzaghi-t”, ka qenë njoftimi i shkurtër dhe i prerë.

Natyrisht, ka edhe aspekte të tjera të marra “mbi supe”, duke qenë se nuk u arrit një zgjidhje konsensuale. E megjithatë, pavarësisht se nuk ka pasur akordin e Clarence Seedorf, i cili kishte edhe 2 vjet kontratë me “djajtë”, Milan nuk ka dashur të presë më, ndaj ka vijuar me shkarkimin e tij.

Pippo Inzaghi do të qendrojë në krye të kuqezinjve deri më 30 Qershor 2016.

Faktikisht, Inzaghi ka nisur prej ditësh të krijojë atë që do të jetë grupi i tij për sezonin e ardhshëm, duke qenë se kishte marrë pjesë në takimet e merkatos me Berlusconi-n dhe Galliani-n. Me këtë të fundit, Pippo ka qenë edhe për darkë në Ibiza, së bashku me Jeremy Menez.

Top Channel