Grupi H, gjithcka e parashikueshme

07/06/2014 00:00

Grupi H duket si grupi i vetëm i Botërorit Brazil 2014 ku gjërat janë shumë të parashikuara. Kjo dhe për faktin se kombëtaret europiane Belgjika dhe Rusia janë favorite ndaj Algjerisë dhe Koresë së Jugut, dy përfaqësuese këto të cilat po kalojnë një periudhë tranzicioni.

Belgjika aktuale konsiderohet nga specialistët e futbollistët si kombëtarja më e fortë që ka ardhur ndonjëherë në botëror. 7 fitore dhe 1 barazim në eliminatore janë një tregues i shkëlqyer për një skuadër e cila ka në përbërje një nga portierët më të mirë në botë, Courtois,  Eden Hazard, yllin e Chelseat, Mertens i Napolit apo dhe kapiteni Vincent Kompany i Citit.  Mes këtyre emrave është edhe kosovari Adnan Januzaj i cili refuzoi ftesën e kombëtares shqiptare dhe iu bashkua Belgjikës së Vilmots.

Rusia e Fabio Capello vjen si në Brazil si një kombëtare shumë solide, e fortë në repartin e mbrojtjes dhe me cilësi në atë të mesfushës dhe sulmit. Gjuha e huaj nuk ka ndikuar aspak te trajneri italian i cili e kualifikoi Rusinë si të parën e grupit, duke lënë pas Portugalinë e Cristiano Ronaldos. Grupi i lojtarëve të cilët përbëjnë dhe formacionin e parë vijnë nga dy skuadrat e para të kampionatit rus, nga CSKA e Moskës dhe nga Zeniti.

Algjeria do të jetë vendi i vetëm arab i cili do të marrë pjesë në këtë botëror. Kjo kombëtare drejtohet nga boshnjaku Vahid Halilhodzic dhe në përbërje përvec Taider nuk kanë ndonjë emër të njohur në futbollin europian.   
Korea e Jugut nuk është më ajo e 12 viteve më parë që shkoi deri në gjysmëfinale. Kombëtarja e këij vendi është gjithmonë një mister dhe e panjohur për skuadrat kundërshtare, kjo dhe për vetë faktin se 3 lojtarët që cilësohet si shtylla e ekipit luajnë në skuadrat të kategorisë së 2 në Angli.

Top Channel