Grupi G, “loja e vdekjes”

07/06/2014 00:00

Grupi G është cilësuar si grupi i vdekjes në Botërorin Brazil 2014. Gjermania, Portugalia, SHBA dhe Gana janë 4 përfaqësuese të cilat kanë në përbërje lojtarë shumë të mirë dhe që premtojnë spektakël dhe luftë deri në momentin e fundit.

Përveç duelit të kombëtareve, të cilat do të kërkojnë me çdo kusht të kalojnë në raundin tjetër, ky grup do të na japë mundësinë të shohim edhe duelet mes futbollistëve yje të secilës përfaqësuese.

Cristiano Ronaldo, është padyshim futbollisti më i mirë i grupit, i cili në një farë mënyre ka dhe fatet e skuadrës në dorë. Fituesi i Topit të Artë mundi Ibran në përballjen direkte dhe 3 golat e tij i dhanë mundësinë Portugalisë që të jetë e pranishme në Brazil.

Ronaldo sigurisht që nuk mund të bëjë dot asgjë i vetëm në Brazil, dhe për të vazhduar performancën e mirë do t’i duhet padyshim ndihma e Helder Postigës, Nani apo dhe Joao Moutinho.

Debutimi i Mesut Ozil në Londër solli kritika pa fund, por mesfushori gjerman ka dhuntinë dhe cilësinë e duhur për të dhënë në këtë botëror.

Pasimet dinake dhe milimetrike të turko gjermanit pritet të jenë çelësi i suksesit të skuadrës së drejtuar nga Joachim Lowe, e cila është në kërkim të titullit të katërt kampion bote.

Afriyie Acquah është talenti ganez nga i cili frikësohen të gjithë trajnerët e skuadrave kundërshtare në grup. 22-vjeçari i cili luan për Hoffenheim, është shumë agresiv, i shpejtë dhe i fortë.

Këto cilësi i japin mundësinë atij të prishë çdo aksion të kundërshtarit dhe njëkohësisht të suprizojë me golat e tij.

Julian Green mund të jetë lojtari xhol falë të cilit Jurgen Klinsman mund të bëjë surprizën në grupin G.

Mesfushori 19 vjeçar i Bayern-it, i cili mund te luaje edhe në sulm, deri ne prill ishte i pavendosur mbi kombëtaren që do përfaqësonte. Pasi luajti me të gjitha ekipet e moshave te Gjermanisë dhe Amerikës, Green pranoi ftesën e Klinsman për të veshur fanellën e SHBA-së në botëror.

Top Channel