Roland Garros, Nadal eliminon Murray-n para finales

06/06/2014 00:00

8 herë kampioni i “Roland Garros”, Rafael Nadal, mposhti bindshëm Andy Murray, për të kaluar në finalen e 9 në 10 vitet e fundit në “French Open”.

Nadal dominoi që nga shërbimi i parë, duke fituar 6-3, 6-2, 6-1, e duke ndezur që tani një finale të zjarrtë me Novak Djokovic, i cili mposhti Ernests Gulbis, në katër sete.

Dyshja më e mirë e tenistëve botërorë do të takohet tashmë në finalen e “Roland Garros”, për të tretin vit radhazi. Ndërkohë, Murray do të duhet të kthehet në Londër, ku pas pak kohësh do t’i duhet të mbrojë titullin e kampionit në “Queen’s Club” dhe në Wimbledon.

Britaniku 27-vjeçar kishte shpresa të mëdha të bëhej i dyti tenist në botë që mposhtte Nadalin në “Roland Garros”, por pësoi një humbje të turpshme, ashtu si dhe në gjysmëfinalen e vetme të arritur në Paris, 3 vjet më parë.

Ai mundi të fitonte vetëm 1 herë (10 pikë) në shërbimet e Nadal, teksa u mposht brenda 1 ore e 40 minutash në një mbrëmje të nxehtë në kryeqytetin francez.

Top Channel