F1, Kanada, sërish dominim i Mercedes

06/06/2014 00:00

Fernando Alonso ka rezultuar si piloti më i shpejtë në sesionin e parë të provave të lira për Çmimin e Madh të Kanadasë, garën e shtatë të kalendarit të Botërorit 2014, në Formula 1.

Piloti spanjoll ka dalë përpara të gjithëve me Ferrarin e tij, duke e ndalur kronometrin në 1 minutë e 17 sekonda dhe 238 të mijtat, 16 të mijtat më shumë se Lewis Hamilton me Mercedes, teksa në vendin e tretë është renditur Nico Rosberg.

Shumë më larg tyre, me 1 min 8 sek dhe 131 të mijtat, është renditur Sebastian Vettel, kampioni i katërfishtë i botës, ndërkohë që Raikkonen vetëm i nënti.

Por, “shigjetat e argjendta”, të pilotuara nga britaniku Hamilton dhe gjermani Rosberg janë rikthyer sërish në dominim, gjatë sesionit të dytë, dukë lënë pas kampionin Vettel dhe pas tij dyshja e ferraristëve, këtë herë Raikkonen përpara Alonso-s. Koha më e mirë absolute e provave të lira, 1’16”118 nga Hamilton, ndërsa me 2 të dhjetat më i ngadaltë shoku i tij i skuadrës, Rosberg.

Në pistën e Montrealit, moti ka qenë i qendrueshëm, pavarësisht reve të zeza dhe disa pikave shiu. Por, Alonso është treguar gjithsesi i zoti të realizojë kohën më të mirë me “kokëkuqen” e tij gjatë sesionit të parë, pikërisht duke injektuar më shumë entuziazëm përpara fundjavës.

Në sesionin e parë, Bottas me Williams përfundoi i pesti, ndërsa i gjashti Ricciardo me Red Bull. Pas dy makinave McLaren, të Button dhe Magnussen, renditet finlandezi i Ferrarit, Kimi Raikkonen, në Çmimin 200-të të Madh në karrierën e tij.

Top Channel