Familjarë të punëtorëve të KEK-ut që pësuan nga shpërthimi në ambientet e punës në termocentralin “Kosova A” janë mbledhur para ambienteve të Emergjencës në QKUK dhe nuk dinë asgjë për familjarët e tyre.

Familjarët nuk pranuan të flasin për mediat pasi ata vetë nuk kanë informacione për fatin e të afërmve të tyre që ndodheshin në termocentral në kohën që ndodhi shpërthimi.  

Nuredin Dardhishta që punon për një kompani private e cila e furnizon KEK-un me bombola oksigjeni ka qëlluar të jetë në vendin e ngjarjes në momentet e shpërthimit. Ai ka rrëfyer ngjarjen duke treguar se në momentin e shpërthimit është mbuluar i tëri me tuba dhe me shumë vështirësi ka arritur që të dalë nga vendi i ngjarjes.  

Ai frikësohet se u ndodhi më e keqja tre punëtorëve që ishin afër tij në momentin e shpërthimit: “Kam dalë vetë pasi nuk guxonte njeri të hynte aty. Njerëzit vetëm largoheshin. Nuk e di si janë kolegët e tjerë.”

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Basri Lenjani, ka thënë se nuk kanë pranuar asnjë të lënduar nga KEK-u pa shenja jete: “Në urgjencë kanë marrë ndihmën mjekësore gjithsej 14 persona. Pas trajtimit, 12 prej tyre janë dërguar për trajtim të mëtejshëm.”

Në hyrje të emergjencës ndodheshin policia dhe në ambientet spitalore nuk është lejuar të futet asnjë familjarë apo kamerë, derisa aty ka qëndruar për vizitë ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, dhe presidentja Atifete Jahjaga, por e cila nuk ka dashur të flasë për mediat.

Termocentrali “Kosova A” është njëri nga termocentralet për të cilin shumë organizata ndërkombëtare por edhe Bashkimi Evropian kanë rekomanduar vite më parë që të mbyllen, për shkak të vjetërsisë që ka.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA