Humb jetën në aksident 33-vjeçari

06/06/2014 00:00

Një 33-vjeçar me emrin Fredi Kaçorri, baba i dy fëmijëve humbi jetën mëngjesin e së premtes në një aksident me automjet.

Për shkak të shpejtësisë mjeti me të cilin udhëtonte u përplas me murin rrethues të një lokali në afërsi të Portit të Shëngjinit.

Policia bëri të ditur se ai ka qenë duke lëvizur me automjetin e tij tip “FIAT”, ku nga shpejtësia e madhe ka humbur kontrollin dhe është përplasur me muret rrethues të lokalit.

Përplasja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme 33-vjeçarit, ndërsa motorri i mjetit është shkëputur dhe është gjetur 50 metra larg vendit ku ndodhi aksidenti.

Është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për të prerë disa pjesë të mjetit për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit të viktimës.

Viktima ishte kthyer një vit më parë nga emigracioni dhe kishte hapur një biznes të vogël në Shëngjin.

Top Channel