Një shpërthim brenda termocentralit “Kosova A” mori jetën e së paku tre punonjësve të këtij institucioni energjetik, në Obiliq të Kosovës. Kësaj fatkeqësie i ka shpëtuar një përson tjetër, i cili në orët e pasdites është nxjerrë i gjallë nga rrënojat, nga zyrtarët e institutit mjeko-ligjor.

Ndërkohë, në vendin e shpërthimit dyshohet se ishin rreth 4 punonjës. Pasojat e shpërthimit ishin aq të forta, sa lanë të plagosur së paku 13 persona. Policia bllokoi gjithë zonën, për shkak të ndonjë rreziku për shpërthim të dytë.

Shpërthimi ndodhi paraditën e së premtes në repartin e elektrolizës, ndërsa shkaqet mbeten për t’u hetuar. Për më shumë se 8 orë, policia rrethoi në një distancë prej dy kilometrash zonën, nga frika e ndonjë shpërthimi të dytë, pasi flakët rrezikonin t’u afroheshin edhe dy depozitave të tjera me hidrogjen.

Sipas punonjësve të Koorporatës, difekti është vërejtur që një natë më parë, por ata nuk kishin arritur ta gjenin vendin se ku kishte rrjedhje.

“Në atë vend punojnë 9 vetë, shpërthimi ka ndodhur pak më larg, por hidrogjeni preku ata 5 vetë që ishin duke punuar. Numrin e saktë të punonjësve nuk e di, mund të jetë 3-4-5, por më kanë thënë që ka të lënduar. Dihet vetëm se 2 personat që kanë qenë pranë siguresës së ftohjes janë prekur”, tha Milazim Hasani, punonjës i KEK-ut.

Megjithatë, kjo u mohua nga drejtori i KEK dhe ministri i Energjitikës.

“Jo, nuk bëhet fjalë për dëmin e brendshëm, por për një pajisje ndihmëse të njësive gjeneruese, që është diku në largësinë prej 800 metrash nga njësia gjeneruese. Aty ka pasur, siç tha edhe ministri, ekipet e shpëtimit urban në momentin e shpërthimit, pranë vendngjarjes. Para 10 minutash kemi marrë konfirmimin e trupave të forcave të sigurisë se vendi është i sigurt për ndërhyrje dhe presim brenda gjysmë ore që të dalim me informata më të sakta”, tha Arben Gjuka, drejtor i KEK. “Sa i përket numrit të viktimave, jemi në një situatë shumë të ndjeshme, një situatë ku mund të keqkuptohemi apo keqinformojmë njerëzit”.

“Më e rëndësishme në këtë moment është t’iu informojmë se përfundimisht çdo rrezik i mundshëm i një shpërthimi të dytë është eliminuar. Nuk ka më asnjë rrjedhje të gazrave eksplozive. Tashmë ekipet e specializuara me pajisjet e specializuara të FSK-së dhe njësive të tjera speciale, janë duke u futur në objekt. Nga fotografitë kemi parë rrënime të mëdha, por nuk mund të japim më shumë informata, nëse ka apo jo njerëz aty”, tha Fadil Ismajli, ministri i Energjitikës.

Shpërthimi në termocentralet e KEK-ut, në Komunën e Obiliqit, mobilizoi edhe Komunën e Prishtinës, e me këtë rast u vendosën të gjitha burimet në dispozicion, për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit, si dhe në trajtimin e të lënduarve.

Në vendgjarje ishte edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili tha se kjo ngjarje ka prekur gjithë popullin e Kosovës, ku paralajmëroi edhe pezullimin e fushatës, pas vizitës që i bëri vendit të shpërthimit.

“Ka ndodhur një difekt teknik, duhen shikuar deklaratat dhe vlerësimet e ekspertëve dhe në këtë drejtim duhet të kemi durim të gjithë. Është një moment solidariteti, i mirëkuptimit me të gjithë punëtorët në KEK, familjet e tyre, me të lënduarit dhe familjet e tyre, është moment i unitetit politik dhe qytetar. Këto momente të rënda mund t’i kalojmë vetëm duke kuptuar dhe duke treguar solidaritet njerëzor me çdo punëtor”, u shpreh kryeministri Thaçi.

Në vendngjarje erdhën edhe liderët e tjerë partiak.

Koorporata Energjitike e Kosovës numëron mbi 5 mijë punonjës, 1 mijë prej tyre punojnë në Kosovën A. Edhe KEDS, kompania që menaxhon rrjetin energjitik kosovar, ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe gatishmërinë për të ndihmuar KEK-un në këtë tragjedi.

Ngushëllime Kosovës për tragjedinë

Qeveria dhe opozita, solidarizim me qeverinë dhe familjet kosovare

Drejtuesit kryesorë politikë në Shqipëri kanë reaguar menjëherë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Kosovë. Kryeministri Edi Rama tha se “po e përcjell me dhimbje dhe solidaritet për familjarët lajmin tronditës nga Kosova”.

“Të lutemi që numri i të vdekurve dhe i të plagosurve të mos rritet më tutje”, shkruan kryeministri në Facebook. Menjëherë pas ngjarjes, zoti Rama i telefonoi kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi për t’i shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin e tij dhe të qeverisë shqiptare, për familjarët e qytetarëve që humbën jetën dhe uroi shërim të shpejtë të të lënduarve.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bëri një reagim mbi ngjarjen: “Shpërthimi tragjik sot në Obiliq është një lajm i hidhur dhe tronditës për të gjithë shqiptarët.” Ai thotë se “në këtë orë fatkeqësie që shkaktoi humbje të jetëve njerëzore dhe dhjetëra të plagosur, së bashku me çdo qytetar shqiptar i bashkohem dhimbjes dhe solidaritetit me familjet e viktimave dhe me të gjithë qytetarët e Kosovës”. Zoti Basha ju uroi shërim të shpejtë të plagosurve, duke u lutur që pasojat e shpërthimit të mos rriten më tej”. 

Edhe ish-kryeministri Sali Berisha komunikoi në Facebook për të shprehur dhimbjen për ngjarjen e rëndë të shkaktuar nga aksidenti tragjik në Obiliq: “Duke ju uruar shërim të shpejtë të plagosurve, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjeve të viktimave dhe lutem së bashku me to që shpirti i njerëzve të tyre të dashur të gjejë paqen e merituar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA