Seks dhe futboll

05/06/2014 00:00

Botërori është kompeticioni më i rëndësishëm futbollistik, një mundësi që u jepet lojtarëve të shkëlqejnë vetëm një herë në katër vjet.

Ka skuadra që luajnë për ta fituar, të tjera për të bërë një paraqitje sa më dinjitoze e për të rrugëtuar sa më larg që të jetë e mundur. Përqendrimi është maksimal, po ashtu edhe përgatitjet taktike dhe teknike.

Një element i domosdoshëm është edhe forma fizike, sidomos kur dihet që një pjesë e mirë e ndeshjeve do të luhet në temperatura të larta. E për të patur lojtarët në maksimumin e tyre fizik, ka trajnerë që u kanë ndaluar rreptësisht seksin, të tjerë që shpresojnë që lojtarët e tyre të mos kryejnë seks, por edhe të tjerë që s’e kanë problem një gjë të tillë.

Në grupin e parë futet Bosnja. Trajneri Safet Susiç ua ka bërë të qartë lojtarëve të tij: në Brazil nuk ka seks…por mund të masturbojnë.

Grupi i dytë përfaqësohet nga Meksika. Trajneri meksikan, Miguel Herrera shpreson që lojtarët e tij të mos kryejnë seks gjatë kompeticionit. “Nëse një lojtar nuk mund të qendrojë dot 1 muaj apo 20 ditë pa seks, atëherë ai nuk është profesionist”, tha ai për mediat meksikane.

Më liberalët janë Felipe Scolari dhe Jurgen Klinsman, përkatësisht në krye të Brazilit dhe Shteteve të Bashkuara. Për Scolarin nuk ka asnjë problem nëse lojtarët e tij bëjnë seks, përsa kohë gjatë aktit nuk “ndërmerren veprime akrobatike”, ndërsa për Klinsmanin e rëndësishme është ajo cfarë tregohet në fushë, jo jashtë saj.

Top Channel