Alonso: Kanadaja, pika jonë e kthesës

04/06/2014 00:00

Fernando Alonso shpreson që Çmimi i Madh i Kanadasë të jetë “pika e kthesës” për Ferrarin, të cilët premtojnë për përmirësime të ndjeshme në garën e kësaj fundjave.

Prej disa ditësh, skuderia italiane kishte shënjestruar Montrealin, si një mundësi për të hedhur një hap përpara me makinën e tyre F14 T, që përgjithësisht ka qenë nën pritshmëritë në 6 garat e zhvilluara deri më tani.

Duke folur përpara garës së muajit të kaluar në Spanjë, presidenti i Ferrarit, Luca di Montezemolo, kishte thënë se dëshironte të shihte një performancë më të mirë në pistën “Gilles Villeneuve”, ku do të zbulohen përditësimet e aerodinamikës dhe njësisë së energjisë të makinës.

“Sigurisht që Kanadaja është një garë e rëndësishme për ne”, tha piloti spanjoll, Fernando Alonso. “Jemi përgatitur për këtë garë në një mënyrë tepër të kujdesshme. Mendoj se e kemi përmirësuar makinën nga aspekti aerodinamik. Bazuar edhe mbi simulimet e bëra, kemi bërë një punë të madhe për set-up-in e makinës ndaj po përpiqemi të shkojmë në Kanada me një makinë shumë më të mirë dhe shumë më kompetitive. Megjithatë, të shohim se ç’do të arrijmë deri atëherë”.

Ferrari është aktualisht në vendin e tretë për konstruktorë, me një diferencë tepër të madhe prej 162 pikësh me Mercedesin, si dhe 21 pikë pas Red Bull-it të vendit të dytë.

Ndërkaq, Alonso është piloti “më i mirë i pjesës së mbetur” në renditjen e pilotëve, por sërish pas krahëve të Nico Rosberg dhe Lewis Hamilton, duke arritur vetëm 1 podium në Kinë (vendi 3).

“Çdo përmirësim i yni është relativ, pasi duhet të shohim edhe se çfarë kanë bërë rivalët tanë, sepse për ne është një detyrë e vështirë: të ngushtojmë diferencat e asaj që është krijuar, plus përmirësimeve të mundshme të tyre”, shtoi Alonso. “Shpresojmë që Kanadaja të jetë pika jonë e kthesës, në disa aspekte”.

Top Channel