Milan, “bomberi” i Inzaghi-t quhet Mandzukic

04/06/2014 00:00

Në Turqi e konsiderojnë marrëveshje të përfunduar: Balotelli te Galatasaray. Ndërkohë, Mario Mandzukic te Milan është më shumë se sa një hipotezë mediatike.

Merkatoja kuqezi duket se është bërë tepër aktive gjatë orëve të fundit. Njoftimi për interesimin ndaj Mandzukic jepet nga “Repubblica”, por asnjë zyrtar nga “shtëpia” e Milanit nuk ka hedhur poshtë zërat.

Galliani është në krye të detyrës, ndërsa për Mandzukic do të ishte një lëvizje e duhur, pasi kroati 28-vjeçar është një sulmues i nivelit europian, e luan prej 2 sezonesh te Bayern Munchen.

Vlerësimi i bavarezëve për të është disi i lartë, bëhet fjalë për 30 milionë euro minimalisht, por ndoshta mund të hyhet në tratativa edhe për 22-25 milionë euro. Bayern duket se kërkon të privohet nga shërbimet e tij, pasi ka rrëmbyer Lewandowski-n nga Borussia Dortmund, një blerje e njoftuar që Janarin e kaluar, por që do të kompletohet nga 1 Korriku i kësaj vere.

Strategjia e kuqezinjve është e lidhur edhe me dëshirën e lojtarit, një goditje jo e pamundur, por edhe disi e vështirë për t’u realizuar.

Ndërkohë, kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga fillimi i Botërorit, Balotelli është një nga emrat më të diskutueshëm në Itali. Mediat turke e japin të sigurt, madje kanë zbuluar një akord paraprak mes futbollistit dhe klubit të Galatasaray-t.

Presidenti Unal Aysal i ka premtuar Mancini-t dy superlojtarë, njëri prej të cilëve është SuperMario. Klubi nga Stambolli, pasi ka marrë miratimin e lojtarit, i ka ofruar Milanit 20 milionë euro, plus 7 milionë të tjera bonus. Por, nga Anglia shtohen zërat për një interesim të mundshëm të Arsenal.

Top Channel