Katër ndeshje shqiptare të trukuara

03/06/2014 00:00

Rikthehet frika e ndeshjeve të trukuara në Kategorinë Superiore shqiptare, dhe jo vetëm kaq. Lushnja-Teuta dhe Kastrioti-Tirana, 2 ndeshje që janë luajtur më 30 Prill të këtij viti, janë të trukuara.

Ky është përfundimi i “Federbet”, Federata Europiane e Operatorëve të Sektorit të Basteve, e cila – në një raport të publikuar të martën në Parlamentin Europian – ka theksuar se gjatë këtij sezoni janë vërejtur më shumë se 500 ndeshje të dyshuara dhe 110 të trukuara, në pjesën më të madhe të kampionateve europiane dhe botërore.

Përsa i përket 2 ndeshjeve të Superiores, Teuta fitoi 2-0 në Lushnje, ndërsa Tirana mposhti 3-2 Kastriotin në Krujë. Lushnja dhe Kastrioti e kishin siguruar më parë rënien një kategori më poshtë, ndërkohë që Teutës i duhej fitorja për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në Europa League, ndërsa Tiranës për të siguruar qëndrimin në Superiore.

Në vorbullën e ndeshjeve të trukuara, të publikuara nga Federbet, janë edhe 2 ndeshjet e Skënderbeut ndaj Karagandit, në paraleminatoret e Champions League, dhe ajo e Teutës ndaj Dacia Chisinau-t, në paraleminatoret e Europa League, sezonin e kaluar.

Sipas Federbet, Britania e Madhe, me 13 ndeshje të trukuara nga kategori të ndryshme, zë vendin e parë në raport, ndërkohë që pas saj vjen Italia me 9 ndeshje të trukuara, e më pas Bullgaria me 7. Sipas autoriteteve europiane, janë më shumë se 500 miliardë euro, që lëvrohen nga trukimet në ndeshjet e futbollit dhe 10% e kësaj xhiroje përdoret për korrupsion dhe manipulim të rezultateve të ndeshjeve.

Federbet është një kompani belge, e cila ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me FIFA-n, Federatën spanjolle të Futbollit, si dhe me disa klube të rëndësishme europiane, për evidentimin e ndeshjeve të dyshuara si të trukuara.

Top Channel