Ndërtimi i stadiumeve

03/06/2014 00:00

Projekti i stadiumit të Elbasanit është i vetmi që prej disa muajsh ka filluar zbatimin, duke e shndërruar “Ruzhdi Bizhutën” në një shesh të madh ndërtimi, ku dhjetëra punëtorë po tentojnë të kapin afatet e paracaktuara për të patur një stadium UEFA me 4 yje brenda muajit shtator të këtij viti.

Arben Dervishi, anëtar i Komitetit dhe shefi i Komisionit të Investimeve në Federatën Shqiptare të Futbollit, na shpjegon atë që po ndodh me rikonstruksionin e stadiumit të Elbasanit: “Në stadium po bëhet puna me dy turne, por kemi pasur pengesa nga koha e keqe sepse pjesa më e madhe e punimeve bëhet në ambient të hapur. Pasi të mbarojë mbushja me zhavorr e tribunave, do të fillojë puna për shkallët e reja dhe riforcimi i shkallëve ekzistuese. Ndërkohë, në pjesën perëndimore po vazhdojmë me shtesën e tribunës që do të shërbejë për zonën VIP dhe atë të medias. Shpresojmë që brenda qershorit të përfundojë skeleti i saj. Më pas, do të bëhet implementimi i rifiniturës. Jemi pak me vonesë në lirimin e sheshit të ndërtimit sepse para 3-4 ditësh Komisioni Kombëtar i Rregullimit të Territorit miratoi përfundimisht projektin me gjithë sheshin dhe tani duhet liruar ai shesh ndërtimi. Është detyra e Bashkisë së Elbasanit që të nisë procedurat për lirimin e sheshit të ndërtimit që ne ta përfundojmë projektin konform kërkesave të FIFA-s dhe UEFA-s.
Mendojmë që brenda shtatorit ta kemi përfunduar stadiumin.”

E megjithatë, Dervishi thotë se punimet në “Ruzhdi Bizhuta” nuk po e lënë në hije dhe as në harresë projektin madhor, atë të ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar “Qemal Stafa”: “Është e sigurtë që stadiumi do të prishet dhe do të ndërtohet një i ri, por prishja e tij do të bëhet në momentin që ne të kemi përfunduar të gjitha marrëveshjet me kompaninë e cila do të bëjë ndërtimin. Prishja mund të bëhet në tetor, ndërsa puna për ndërtimin e stadiumit të ri do të nisë nga fillimi i vitit 2015. Mendohet të jetë gati në 6-mujorin e dytë të vitit 2017.”

Veç këtyre, ka filluar dhe një projekt-koncept për stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Ndoshta në fazat fillestare, pasi kostot e tij janë akoma më të mëdha: “Koncepti është që tribuna kryesore e stadiumit të rrafshohet e gjitha dhe të ndërtohet një tribunë e re me të gjitha standartet e nevojshme. Gjithashtu, do të riparohen tribunat me kapacitet mjaft të madh. Të shohim sa do të dalë vlera e projektit.”

Top Channel