Spanja, pritje nga Obama, më pas Rousseff

02/06/2014 00:00

“Ndihem mirë, kam pushuar mjaftueshëm këtë javë pas Champions League, kisha kohë që nuk pushoja kaq shumë”.

Nga grumbullimi i kombëtares spanjolle në Ciudad de Futbol di Las Rozas, në Madrid, Diego Costa është optimist mbi rikuperimin e plotë të tij dhe aktivizimin në ndeshjen e parë të 13 Qershorit, në debutimin e Spanjës kundër Holandës, duke siguruar se problemet muskulore i ka kaluar tashmë.

“Nëse do të mund të jem titullar në ndeshjen e parë të Botërorit? Sigurisht që po, pse të mos ndodhë?”. Rrëfen gjithashtu se “një herë” ka menduar “se nuk do të mund të shkonte në Brazil. Kishte frikë se mos bëhej fjalë për një dëmtim edhe më serioz. Nëse trajneri më lejon, shpresoj të jap maksimumin për besimin që më ka dhënë”.

Ndërkohë, Federata spanjolle e Futbollit ka bërë të ditur se kampionët e botës në fuqi do të priten nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, në Shtëpinë e Bardhë gjatë kësaj jave.

Vicente del Bosque dhe skuadra e drejtuar prej tij ndihen gati për të udhëtuar nga Madridi drejt Uashingtonit, pasi kanë marrë miratimin nga kryeministri Mariano Rajoy. Përfaqësuesja iberike do të qëndrojë në SHBA për 5 ditë, për të vazhduar përgatitjet për Botërorin, e atje do të pritet me një mirënjohje të veçantë për një ekip sportiv jo amerikan nga presidenti Obama.

Spanja do të luajë ndeshjen e fundit miqësorë përpara Botërorit kundër El Salvadorit, të shtunën në Uashington, më pas do të niset drejt vendgrumbullimit në Brazil, në Curitiba, ku do të vizitohet edhe nga presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff.

Kampionët e Botës dhe të Europës do të debutojnë në grupin B kundër Holandës, rival që e kanë mposhtur në finalen e Afrikës së Jugut 2010, më 13 Qershor. Më pas do të ndeshet edhe me Kilin dhe Australinë.

Spanja do të përpiqet të bëhet e para skuadër europiane që fiton Kupën e Botës në kontinentin amerikano-jugor, si dhe e treta që fiton dy Botërorë radhazi, pas Italisë dhe Brazilit.

Top Channel