Viktor Skeja, 45 vjeç, kishte gati 40 minuta që kishte hyrë në një pikë lojërash fati, kur rreth orës 16:00, një person i veshur me të zeza dhe me skafandër në kokë ka pyetur punonjësit se ku ndodhej ai. Personi sapo i është afruar objektivit ka konfirmuar sërish duke e pyetur 45 vjeçarin “ti je Viktor Skeja” dhe sapo ka marrë përgjigje pozitive e ka qëlluar atë në këmbë me armë zjarri.

Nëntë muaj pas këtij atentati në Tiranë, Viktor Skeja, ish-drejtues i filialit të CEZ në Laç, u ekzekutua me armë zjarri në dalje të banesës ku ai jetonte, pranë rrugës “Riza Cerova”.

Policia thotë se nga dëshmitë paraprake të familjarëve të viktimës mësohet se Skeja kishte qëndruar në banesë gjatë gjithë ditës. Në çastet që ai ka dalë dhe është drejtuar për tek automjeti tip “Audi” me targat AA 363 EM, ai është qëlluar me armë automatik, ku tre plumba i kanë sjellë vdekjen e menjëhershme.

Pavarësisht edhe një atentati të mëparshëm të dështuar ndaj tij, për të afërmit e Skejës, vrasja e tij ka qenë e pabesueshme.

Policia e Tiranës pohon se autorët janë larguar me një automjet tip “Golf” me ngjyrë të zezë, ndërkohë që paraprakisht, duke pasur parasysh profilin e të ndjerit, dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur për larje hesapesh.

Top Channel