Reali ofron 50 mln euro për Vidal

31/05/2014 00:00

Reali i Madridit këmbëngul për mesfushorin kilian të Juventusit Arturo Vidal dhe ofron për të patur shërbimet e tij plot 50 milion euro për klubin torinez.

Sipas mediave spanjolle do të jetë vetë presidenti i Kampionëve të Europës, Florentino Perez që do të paraqesë ofertën për Agnelli-n dhe rasti i duhur është “Kupa UNESCO” që luhet të hënën mes yjeve ndër vite të dy skuadrave.

Në listën e dëshirave të Perez është edhe Paul Pogba, por bardhezinjtë janë më të gatshëm të heqin dorë nga Vidal se sa nga talenti francez, kartoni i të cilit kushton akoma më shumë.

Mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje janë të mëdha. Bardhezinjtë vërtet do të hiqnin dorë nga mesfushori energjik që ka shkëlqyer në tre sezonet ku edhe është shpallur kampion i Italisë, por nga ana tjetër do të arrihej tek njëri mes Morata-s, Marcelo-s, Coentraos, apo Angel Di Marias që i interesojnë trajnerit Conte.

Për momentin merkatoja verore është ende larg, aq me tepër edhe deklarata e drejtuesve bardhezinj se Vidal është i pashitshëm…të paktën jo nëse nuk mbërrin oferta e duhur. A është e duhura 50 mln eurot e Realit? Këtë koha do ta vërtetojë.

Top Channel