Brazil 2014, analiza e grupit B

30/05/2014 00:00

Spanja, kampione e botës në fuqi, është gjithashtu një nga favoritët kryesorë edhe për këtë Botëror.

Me Vicente Del Bosque-n, iberikët prekën majat e futbollit europian e botëror dhe, falë një mesfushe shumë të fortë; me emra si Javi Martinez, Iniesta, Xavi Hernandez, Xabi Alonso, Koke, Mata, Santi Cazorla, Busquets, Fabregas e Javi Garcia; ata i kanë të gjitha mundësitë të triumfojnë edhe në Brazil.

Enigma e vetme në skuadrën spanjolle është se, cili mes Iker Casillas, Pepe Reina apo David De Gea, do të jetë portieri i formacionit bazë. Përfaqësuesja iberike është më e shtrenjta e grupit B.

Holanda ka rritur nivelin e futbollit dhe kjo, falë taktikës së trajnerit Louis Van Gaal, i cili ka gërshetuar shumë mirë eksperiencën e “të mëdhenjve”, me forcën dhe vullnetin e lojtarëve të rinj.

Ndërkohë që kualitetet në sulm dhe në mesfushë nuk mungojnë, në repartin e mbrojtjes është krejt e kundërta. Në përfaqësuese janë grumbulluar lojtarë pa shumë eksperiencë, gjë e cila mund jetë diçka negative, për një skuadër që kërkon titullin kampion.

Një tjetër skuadër e këtij grupi është kombëtarja e Kilit, e cila ka në përbërje të saj Arturo Vidal, lojtari që fitoi Serie A me Juventusin. 27-vjeçari do të jetë pika më e fortë e këtij ekipi, i cili kërkon të bëjë surprizën në një grup të vështirë, ku bëjnë pjesë Spanja dhe Holanda.

Australia është sigurisht skuadra më pak e kuotuar e grupit, kjo edhe për shkak se ka në ekip emra jo shumë të njohur në arenën botërore. Mark Bresciano dhe Tim Cahill janë të vetmit, që luajnë në skuadra të njohura por, a do të mjaftojnë ata të dy që përfaqësuesja australiane të lërë shenjë në këtë Botëror?

Top Channel