Brazil 2014, analiza e grupit A

29/05/2014 00:00

Botërori rikthehet pas 64 vjetësh në Brazil, kombëtarja e të cilës është skuadra e vetme që ka fituar 5 tituj kampion bote.

Ashtu si gjithmonë, selecao shihen si favorite kryesor, por vetë ata nuk duan të shihen si të tillë. Pika më e fortë e skuadrës është padyshim sulmi, i cili përbëhet nga Hulk, Neymar dhe Oscar, 3 lojtarë që do ti kishte zili çdo kombëtare.

Reparti më i dobët sipas analistëve është mesfusha. Brazili nuk ka mesfushorë të nivelit botëror, gjë e cila mendohet se mund t’ia vështirësojë punën Felipe Scolarit për të fituar botërorin e 2.

Meksika: Është një skuadër e cila po përjeton ndryshimin e brezave. Në përfaqësuese janë grumbulluar emra të rinj, një pjesë e mirë e të cilëve aktivizohet në kampionatin vendas.

Trajneri Miguel Herrera, është i vetmi që luan me 5 mbrojtësa, kjo dhe për shkak të nivelit jo shumë të mirë të mesfushorëve që ai ka në dispozicion.

Kroacia u kualifikua me vështirësi në këtë botëror, dhe këtë e bëri pasi mundi Islandën në fazën play off.

Ndryshe nga dy skuadrat e para, arma e fortë e përfaqësueses së Niko Kovac është reparti i mbrojtjes, i cili ka në përbërje dy emra të njohur Serna dhe Simunic. Por nuk duhet harruar dhe shtatlarti i Bayern-it Mandzukic, tek i cili i kanë sytë të gjithë kroatët.

Kameruni i Samuel Eto’o pritet t’i krijojë probleme të gjitha skuadrave të grupit A, pasi kanë sulmues shumë të saktë para portës kundërshtare.

Por problemi kryesor i kësaj përfaqësueseje është se lojtarët janë shumë të varur pas Eto’o-së. Kameruni është pothuajse inekzistent pa kapitenin e saj.

Top Channel