Botërori, nis aventura braziliane

28/05/2014 00:00

Shpresat e Brazilit për fitimin e Botërorit të muajit të ardhshëm nisën ditën e mërkurë në bazën stërvitore në pyjet periferike të Rio de Janeiro-s, nën kushte të ftohta e me reshje shiu.

Nëse skuadra do të kishte shpresuar për kushte më të mira në kompleksin e tyre “Granja Comary” në qytetin e Teresopolis, ata do të pësonin një zgjim të vrazhdë, pasi termometri tregonte vetëm 17 gradë Celcius, teksa kanë nisur vrapimet në fushën e lagësht.

Nën sytë vigjilente të trajnerit Luiz Felipe Scolari, fitues i Botërorit të 2002-shit, skuadra prej 23 lojtarësh nisi seancën stërvitore pas orës 10 të mëngjesit, me disa ushtrime nxehjeje në ambiente të mbyllura, ndërkohë që 3 portierët ndoqën programe të diferencuara.

Mesfushori i Chelsea-t, Oscar, i cili kthehet pas një dëmtimi, si dhe sulmuesi Jo, i cili ka lënë pas krahëve disa probleme fitnesi, u bashkuan me grupin në ambiente të hapura, për një seancë stërvitore 1 orarshe.

Grupi i lojtarëve, shumica e të cilëve luajnë në Europë, mbërriti në Brazil të hënën. Të martën, ata iu nënshtruan një serie testesh fitnesi, e më pas nisën përgatitjet për të arritur formën maksimale përpara ndeshjes së parë, hapësen e Botërorit, më 12 Qershor, kundër Kroacisë, në Sao Paulo.

Përpara asaj sfideje, brazilianët do të duhen të zhvillojnë dy miqësore, kundër Panamasë më 3 Qershor dhe Serbisë, 3 ditë më vonë.

Me Kroacinë do të ndeshet në “Corinthians Arena”, përpara se Selecao të përballet me Meksikën dhe Kamerunin, për të kompletuar ndeshjet e grupit A të Botërorit.

Top Channel