Partizani prezanton trajnerin

27/05/2014 00:00

Shpëtim Duro do të jetë trajneri i ri i Partizanit, duke rezultuar si surpriza e parë nga të kuqtë kryeqytetas, që, sipas premtimeve të presidentit Demi, në këtë sezon të ri, që do të fillojë, do të kenë objektiv titullin kampion, pasi edhe ekipi, i cili me sa duket do të ndryshojë thuajse 100%, do të jetë i tillë.

“Këtë vit nuk dolëm me sukses, ashtu siç e mendonim. Gjithmonë faj ka diku, unë e pranoj nga vetja i pari. Nuk deshëm të bëheshim pjesë e lojrave të ndryshme. Menduam që ta linim më mirë kështu, edhe për Partizanin. Është një eksperiencë për mua, si vit i parë. Tani të flasim për të ardhmen e Partizanit që, pas një marrëveshjeje me zotin Duro, nga sot profesor Shpëtim Duro do të jetë menaxher-trajner i Partizanit. Mendojmë që me profesorin të ngrejmë një Partizan sa më dinjitoz dhe të mundohemi të arrijmë aty ku e ka vlerën Partizani”, tha Gazmend Demi, president i Partizanit.

Më pas është vet trajneri Duro, i cili në mënyrë të beftë u largua nga Shkëndija e Tetovës, edhe pse arrriti rezultate shumë të kënaqshme, duke e çuar këtë skuadër në Europë, ai që tregon se përgjegjësitë e tij si menaxher dhe jo vetëm si trajner fillojnë nga sot, duke zeruar çdo konfirmim të mëparshëm, sa i përket stafit dhe lojtarëve.

“Ishte një moment shumë i mirë që po kaloja në Maqedoni dhe mund ta konsideroj si sakrificë, që po bëj në këto momente për Partizanin, por veçanërisht për këmbënguljen e presidentit. Unë jam përgjegjës për çdo gjë, e thënë në mënyrë figurative, pasi nga ky moment do të jem unë ‘Gaz Demi’ i Partizanit. Kam parë edhe konfirmimet, por realisht konfirmimet për futbollistët e Partizanit të sezonit të ri do të fillojnë nga sot e në ditët në vazhdim”, tha Shpëtim Duro, trajner i Partizanit.

Me prezantimin e trajnerit, Partizani ka bërë publike sot dhe dy blerjet e reja; Fejzullahu, ish-mbrojtësi i Besës, dhe Idriz Batha, mesfushorin e marrë nga Teuta. Për këtë të fundit është një rikthim në shtëpi pas një sezoni larg, të cilin e nisi si lojtar i Besës së Kavajës në fillim dhe e përfundoi më pas me Teutën.

Top Channel