F1, Hamilton: Nuk jam mik i Rosbergut

26/05/2014 00:00

Kampionati aktual i Formulës 1 duket se do të ndahet mes dy pilotëve të Mercedesit dhe për këtë arsye, tensioni në skuderinë gjermane po rritet ditë pas dite.

Thuhet që nuk flasin me njëri-tjetrin dhe një gazetar italian pyeti Lewis Hamiltonin dhe Nico Rosbergun nëse do të hanin darkë së bashku për të zgjidhur problemet e mundshme mes tyre.

Rosberg tha duke buzëqeshur: “Gjithçka shkon mirë, ka pasur raste që kemi debatuar, por njihemi prej shumë kohësh dhe gjithmonë ulemi për të folur. Jemi miq dhe i rregullojmë gjërat me njëri-tjetrin.”

Ndryshe u përgjigj britaniku Hamilton: “Nuk kam një përgjigje për këtë pyetje. Unë dhe Rosberg jemi shokë skuadre, kolegë, por jo miq.”

Më pas, gazetarët këmbëngulën në disa fjalë të Hamiltonit, i cili disa ditë më parë kishte thënë se kishte më shumë uri për sukses se Nico për shkak të origjinës së tij.

Rosberg tha: “Nuk i kam dëgjuar këto komente dhe nuk do jap përgjigje pasi është e lehtë të shpikësh gjëra. E di që Lewis nuk ia ka thënë këto gjëra shtypit, ndoshta mund të m’i thotë mua, por jo shtypit.”

Ndërsa Hamilton sqaroi: “Kam thënë që unë vij nga një vend ku më është dashur të luftoj për gjithçka, ndryshe nga Nico. Mbaj mend që në Monako vija me barkën e babait të Nicos dhe këto eksperienca më kanë bërë që të doja me gjithë shpirt një jetë të tillë edhe për vete. Babai i Nicos më ka frymëzuar që të kisha atë që kam sot. Kam thënë diçka të tillë, por është nxjerrë nga konteksti.”

Top Channel